Serbët fortifikojnë barikadat në kufi, rritet prania e forcave të xhandarmërisë

Nga këto kodra Policia e Serbisë po vëzhgon situatën në kufirin Kosovë Serbi, konkretisht te barrikadat në Jarinje.

Por edhe njësitet e policisë së Kosovës, përveç protestuesve, po duhet të kujdesen edhe nga vëzhgimet që po i bënë policia serbe.

Ndonëse situata po vazhdon të jetë e qetë, protestat po vazhdojnë nga qytetarët serbë, ndërsa bllokadat me makineri të rënda po përforcohen çdo ditë e më shumë.

Muzika serbe vazhdon të dëgjohet, e afër protestuesve është edhe mbishkrimi në gjuhën serbe e që do të thotë mirë se vini në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Në pikën kufitare në Jarinjë vazhdon të mos ketë qarkullim të automjeteve.

Derisa disa kamionë që kanë mbetur të bllokuar prej katër ditësh në mes të vendit ku gjendet barrikada e parë dhe kufirit të Jarinjës po kundërmojnë erë të rëndë pasi është prishur ushqimi brenda.

Ende nuk dihet se sa do të zgjasë një situatë e tillë, ndërkohë pala kosovare dhe ajo serbe vazhdojnë të mbrojnë qëndrimet e tyre.

Serbia kërkon që Kosova të tërheqë vendimin për reciprocitet për targat derisa Kosova thotë se e bën një gjë të tillë nëse kështu vepron edhe Serbia. Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht po bën thirrje për ulje të tensioneve.

Tv Klan