Rritet interesimi për bregdetin shqiptar

Hezitojnë të vizitojnë brendetin shqiptar për herë të parë, por ata që e kanë vizituar nuk mendojnë dy herë për të kaluar sërish pushimet verore në Shqipëri.

Interesimi i serbëve të veriut të Kosovës por edhe të Serbisë është i madh për të kaluar pushimet verore në këtë bregdet. Nenad Stojkoviç, është menaxher i agjencisë së udhëtimit Holiday në veri të Mitrovicës. Ai tha se çdo vit po rritet interesimi i serbëve për bregdetin shqiptar.

“Ne kemi pasur 800 qytetarë vitin e kaluar që kanë vizituar Shqipërinë, kryesisht kemi kerkesa për 3 destinacione, Durrës, Ksamil dhe Sarandë. Vitin e kaluar nuk kemi pasur këtë vit jemi duke bërë përpjekje që ta kemi në listë edhe Vlorën. Eshtë befasuese edhe për mua që edhe këtu në veri kemi interesim dhe të gjithë ata që kanë qenë njëherë janë kthyer me përshtypje pozitive. Kam pasur klient jo vetem nga Mitrovica, por edhe nga Beogradi e vendet tjera”.

Interesimi më i madh i serbëve të Kosovës dhe Serbisë për të vizituar Shqipërinë ishte vitin e kaluar kur edhe u mbyllën kufijtë në shumë vende për shkak të pandemisë. Kjo ka bërë që ata të kërkojnë sërish brendetin shqiptar për shkak të përshtypjeve të mira që kanë fituar gjatë pushimeve vitin e kaluar.

Madje në rrjetet sociale serbët kanë krijuar grupe të ndryshme të quajtura Albanian Live, Pushimet në Shqipëri etj., ku edhe tregojnë përshtypjet e tyre dhe i sugjerojnë njëri-tjetrit për bregdetin shqiptar. Megjithatë, Stojkoviç ka synim që turistët serbë të vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit duke lavdëruar infrastrukturën.

“Rrugët janë shumë të mira dhe komforte. Qytetarët duan të vizitojnë Shqipërinë edhe për plazhet fantastike. Për mua Durrësi është destinacioni më i mirë, ky është opinioni im. E bëj këtë punë që nga 1986-ta”.

Gjithashtu ka shumë turistë nga Serbia të cilët preferojnë të vizitojnë Shqipërinë duke rezervuar direkt hotelet, ndërsa vitin e shkuar kanë kaluar shumë vetura përmes Kosovës.

Tv Klan