Dhjetë minuta para protestës, krerët e Listës Serbe ja mësynë qendrës së veriut të Mitrovicës. Aty u mblodhën qindra qytetarë nga katër komunat veriore për të protestuar kundër aksionit të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, të ndërmarrë të martën kundër një rrjeti kontrabanduesish në disa lokacione nëpër Kosovë kryesisht në komunat veriore.

Krerët e Listës Serbe dhe kryetarët e komunave të veriut u premtuan qytetarëve serbë të asaj pjese se nuk do të lejojnë asnjëherë që t’ua marrin Kosovën dhe se për të do të luftojnë nëse është e nevojshme. Sipas tyre “Kosova është zemra e Serbisë”.

“Rezistencën e qytetarëve të Zubin Potokut që dje janë rrahur brutalisht falënderojmë edhe ata nga Zveçani që kanë treguar unitet në qëndrimet e tyre. Dje forcat e caktuara kanë përdorur dhunë duke dashur të përulin popullin serb në emër të drejtësisë. Kjo është turp për shqiptarët dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Ku janë këtu liria dhe të drejtat e barabarta. Si askujt nuk i bjen ndërmend që ta dënoj dhunën”, tha Goran Rakiç, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

“Dje për të satën herë na kanë zgjuar sirenat që na përkujtuan bombardimet e NATO-s 20 vjet më herët. Aq shumë është përdorur dhunë sa nuk kam fjalë për të shprehur. Diçka të tillë nuk kam parë deri tani. Kemi pasur shumë protesta por realitet të tillë nuk kemi përjetuar. Fakti se është rrahur një shurdhmemec tregon gjithçka”, deklaroi Srcan Vuloviç, kryetar i Zubin Patokut.

Protesta ka përfunduar e qetë ndërsa për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrin zyrtarë të Listës Serbe thanë se do të njoftojnë me kohë.

Tv Klan