Brenda natës një hapësirë e gjelbër në Beograd u kthye në kantier ndërtimi pa i njoftuar banorët. Tani ata protestojnë.

Në një pallat të vitit 1969 në Beograd jetojnë 300 vetë. Hapësira e gjelbër pas ndërtesës për gati 50 vjet u mirëmbajt nga bashkia dhe përdorej me dëshirë nga banorët. Deri më 12 korrik 2019. Herët në mëngjes erdhën aty punëtorët e ndërtimit me sharra elektrike dhe brenda një kohe të shkurtër prenë 17 pemë. Ata rrethuan hapësirën e gjelbër dhe vendosën një pllakë: “Hapësira private. Kantier ndërtimi.” Sasha Simiq, që jeton në këtë ndërtesë kujton. “Ne u habitëm shumë. Nuk mund ta besonim, se çfarë po ndodh.” Ditët më pas habia kaloi në zemërim dhe protestë. Banorët organizuan bllokimin e punimeve dhe mblodhën 3.000 nënshkrime.

Ligji në Absurdistan

Sipërmarrësi i ndërtimit, Ninoslav Axhiq prezanton një dokument, ku thuhet, se kjo hapësirë prej katër vjetësh është prona e tij. “Eksperti ynë i rendit humbjet në 8.700 euro në javë. Personat që bëjnë aksione të tilla të trilluara mjedisore duhet të përgjigjen për këtë.” Avokatët e tij kanë ngritur padi. Axhiq bashkë me truallin kanë rrethuar edhe një hapësirë të ndërmjetme. Ai thotë, se kjo është çështje teknike. Për këtë nuk ka leje, por as ndalesë.

Edhe banorët angazhuan një avokate. Ajo thotë se minibashkia përkatëse përmes një aksioni formalisht legal, por të pazakontë ua ka kaluar pasardhësve të personave të shpronësuar para 60 vjetësh në pronësi që në vitin 2014. Ajo e ka shitur atë tek Axhiq. Tani gjykatat duhet të vendosin, se si është deklaruar hapësira e gjelbër në planet urbane të qytetit si pjesë që i përket pallatit apo si hapësirë e lirë. Vetëm në rastin e dytë, minibashkia ka të drejtë prone dhe prej kësaj si rrjedhojë mund të bëjë edhe një kantier ndërtimi prej saj. Ndryshe ajo duhet të dëmshpërblente pasardhësit e të shpronësuarve. Problemi është, se planet urbane me vendimet përkatëse në arkivin e minibashkisë nuk gjenden më. Të gjitha dokumentet që datojnë para vitit 2000 janë seleksionuar nga minibashkitë e qytetit dhe janë dërguar në arkivin qendror. “Shkova për të gjetur disa dokumente për avokaten tonë. Aty punojnë katër gra të mbingarkuara në mesin e kartonëve plot dokumente. Asgjë nuk është e sistemuar. E gjeje aty dokumentin tënd për të marrë të drejtën që të takon”, thotë Sasha Simiq.

Grushta në vend të drejtësisë

Banorët nuk dorëzohen dhe mbledhin dokumente të tjera. Ata bëjnë 24 orë në ditë roje. Kështu ndodhi edhe më 14 shtator, kur sipërmarrësi dërgoi një firmë për të bërë matjet për lidhjen e tubacioneve të ujit.  Dy teknikë të firmës nuk u lejuan, u tha. Grindja ishte e programuar. Një punonjës i firmës teknike goditi me grusht, dy banorë pësuan lëndime të rënda trupore. Njëri prej tyre Elvin Kovaciq: “Pashë fqinjin, Boban se si ishte mbuluar nga gjaku në tokë. Doja ta ndihmoja, dhe u përkula para tij. Dhunuesi qëlloi nga lart dhe më theu hundën.” Policia i arrestoi autorët. Por sipërmarrësi Axhiq e interpreton ndryshe incidentin. Punonjësit teknikë janë sulmuar, thotë ai.

Absurditete të tjera

Në pesë vitet e fundit minibashkua e mirëmbajti hapësirën e gjelbër, madje para fillimit të punimeve mbolli edhe pemë. Një organ mbikqyrës bashkiak e dënoi sipërmarrjen, sepse preu pa leje 17 pemë, por Ninoslav Axhiq tregon një letër të marrë nga bashkia para se të priteshin pemën. “Nuk jemi përgjegjës për pemët e atjeshme, për shkak se bëhet fjalë për një hapësirë private.” Nga ana tjetër banorët kanë frikë, se pallati mund të humbasë stabilitetin, për shkak se gjendet në një pjerrësirë.

Ajo që dihet – banorët nuk u informuan për privatizimin e hapësirës, as për planet e ndërtimit e për lejet e ndërtimit. Shërbimet komunale që e mirëmbajtën hapësirën më vonë me sa duket jo, as inspektorët e zyrës së mjedisit. Kryetari i minibashkisë kërkon tani të ndërmjetësojë. Në të gjithë Beogradin dhe në Serbi ndërtohet shpesh në mënyrë ilegale. Me para nën dorë synohet të legalizohen ndërtesat më vonë. Ky rast është më kompleks. 300 vetë që kanë humbur hapësirën e gjelbër, ndjehen të lënë në baltë- A është ilegale mosbindja e tyre civile?  Saša Simić e mohon energjikisht. “Çfarë do të thotë këtu ilegale, kur vetë shteti yt të sulmon?”/Deutsche Welle