Beogradi akuza për pushtim të territorit serb

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka konfirmuar zyrtarisht lajmin se Njësia Speciale e Policisë Serbe ka arrestuar, sipas saj në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, tre pjestarë të Policisë së Kosovës me inisciale R. Z. B.S. dhe M.Šh.

Të tre të arrestuarit, sipas qeverisë serbe ishin të armatosur me armë automatike dhe me pajisje GPS, harta dhe pajisje të tjera.

Sipas njoftimit të autoriteteve serbe pretendohet se u parandalua përpjekja e Policisë së Kosovës për të pushtuar territorin e Serbisë Qëndrore, e cila sipas tyre është akt terrorist me qëllim të destabilizimit dhe përshkallëzimit të konfliktit, drejtuar kundër Republikës së Serbisë.

Për këtë veprim është njoftuar me urgjencë Presidenti Vuçiç, i cili ndodhej në ato momente në ambasadën ruse.

Lajmi për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës u konfirmua edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor.” 

Sveçla u ka bërë thirrje parnerëve ndërkombëtarë që të rrisin urgjentisht presionin ndaj Serbisë.

Policia e Kosovës (PK), shprehet se trupat e saj qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.