Ambasada Amerikane në Beograd përsërit qëndrimin e Presidentit Biden

“U takon të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje”, ka theksuar zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Serbi, James Hagengruber. Ai shprehu bindjen se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element kryesor në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve.

Arritja e një marrëveshje te tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë, tha zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Serbi.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duan asgjë më shumë sesa Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së. Kthimi në dialog midis dy vendeve, me ndihmën e BE-së, është thelbësor për një sukses të tillë.

Hagengruber kujtoi fjalët e Presidentit Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është me rëndësi thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkohë, mediat serbe duket se po monitorojnë me vëmendje fushatën elektorale në Kosovë, dhe sidomos disa prej liderëve të partive politike. Agjencia Tanjug i referohet një deklarate të Ramush Haradinajt në Suharekë 4 ditë para zgjedhjeve, që ka  deklaruar se në dialogun me Serbinë nuk do të ketë dorëzim dhe asnjë kompromis.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se në dialog me Beogradin, nuk duhet të ketë lëshime dhe se partia e tij, nëse i fiton zgjedhjet, nuk duhet të bëjë kompromise”, shkruan media serbe.

Haradinaj kandidon për President, ndërkaq kur ishte Kryeministër vendosi taksën reciproke 100% për mallrat serbe dhe boshnjake që pezulloi dhe gjithë procesin e dialogut.

Klan News