Rama: Kërcënimet, të rrezikshme dhe të papranueshme
Serbia shpreh hapur zhgënjimin e saj ndaj dy republikave të dala nga ish-Jugosllavia, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi për njohjen që ato i kanë bërë pavarësisë së Kosovës. Gjatë një interviste televizive, ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç ka sulmuar hapur Shkupin dhe Podgoricën se me këtë veprim kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë.
“Gabuat dhe do t`u kthehet në kokë, ashtu sikurse Ukrainës dhe të gjithëve që promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Hapët kutinë e Pandorës. Qesharake janë përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është rast i veçantë. As Albin Kurti, as Tirana nuk besojnë në këtë.”
Madje ai ka shkuar edhe më tej teksa i kujton Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi se nuk po e shikojnë kërcënimin që sipas tij po vjen nga faktori shqiptar në rajon dhe rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe.
“A flejnë të qetë miqtë tanë në RMV? A fleni të qetë? Mendojnë se janë në NATO dhe kanë zgjidhur problemet. Nuk duam ta bëjmë politikën e tyre. Por, mund të konstatojmë se 25% të shqiptarëve kanë 50% të pushtetit në RMV. Nëse kjo është në rregull për maqedonasit, në rregull është edhe për ne.”
Në një reagim në rrjetet sociale kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i ka konsideruar të papranueshme këto deklarata, ndërsa hedh poshtë çdo iniciativë që mund të cenojë integritetin territorial mes vendeve fqinje.
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.”
Më tej kreu i qeverisë shqiptare, teksa evidenton arritjet e mëdha në marrëdhëniet rajonale, thekson se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut si anëtare të NATO-s, nuk mund dhe nuk do të lejojnë askënd ti tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Ai nënvizon se Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme.
Tv Klan