Një seri lëkundjesh të fuqishme të tokës shkaktuan panik tek banorët e Stambollit, paraditen e kësaj të mërkure.

Lëkundja më e fuqishme ishte 6.2 e shkallës Rihter dhe u regjistrua rreth orës 12.49 me orën lokale. U parapri nga një lëkundje me magnitudë më të lehtë 3.9 dhe u pasua nga një tjetër 4.4.

Deri më tani nuk flitet për viktima, të lënduar apo dëme të mëdha materiale. Megjithatë, në media e rrjete sociale qarkulluan pamje që tregonin dukshëm frikën që lëkundjet krijuan tek banorët e qytetit më të populluar të Turqisë, të cilët braktisën ndërtesat dhe u dyndën rrugëve.

Frika duket qartë edhe nga reagimi i kësaj drejtueseje të hapësirës informative të atij orari në një televizion turk.

Epiqendra e lëkundjeve ishte në tokën nën detare të Marmarasë, duke u bërë edhe shkak për dallgë të dukshme në zonat bregdetare.

Turqia është një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Tërmeti më i fuqishëm i viteve të fundit është ai shkurtit 2023 që goditi juglindjen duke shkaktuar mbi 59 mijë viktima.

Tv Klan