Sezoni 2020–2021, i Serie A do të nisë më 19 Shtator. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ligës, që vendosi ta shtyjë me 1 javë fillimin e Kampionatit Italian. Zakonisht ky kampionat starton në fundin e muajit Gusht, por situata e shkaktuar nga pandemia dhe impenjimi i skuadrave italiane në Kupat e Europës gjatë këtij muaji, detyroi drejtuesit më të lartë të futbollit vendas që të rimodelojnë një kalendar të ri.

Kjo lëvizje do të ndryshojë edhe kalendarin, duke shkurtuar ndalesën që bëhet në fund të vitit. Pauza e dimrit do të nis më 23 Dhjetor, për t’u kthyer në fushë më 3 Janar.

Mbyllja e Serie A është parashikuar më 23 Maj të 2021. Ngjeshja e kampionateve ka të bëjë edhe më finalet e Europianit që do të mbahen në verën e 2021. Në këtë mënyrë do të ketë 5 xhiro që do të zhvillohen në mesjavë, duke shtuar ngarkesën për ekipet.

Gjithsesi, ky vendim nuk është pritur aspak mirë nga skuadrat “BIG”, mes të cilëve Juventusi që pretendon se angazhimi në Kupat e Europës të këtij sezoni mban në ritëm skuadrën për rifillimin e kampionatit. Bardhezinjtë pretendojnë se nisja e kampionatit në 12 Shtator do të ishte ideale, në një kohë që të gjithë kampionatet elitare të Europës kanë caktuar këtë datë si të fillimit të sezonit të ri.

Klan Plus