Sezon i ri rregulla të vjetra! Sezoni 2020-2021 në Seria A italiane do të ketë pesë zëvendësime për çdo skuadër brenda 90 minutave. Konfirmimi ka ardhur nga vetë presidenti i Federatës Italiane të futbollit, Gabriele Gravina. I shoqëruar nga presidenti i FIFA-s, kreu i futbollit italian zbuloi se Liga ka kërkuar zbatimin e këtij rregulli edhe në sezonin e ri, të cilin nuk ka nguruar ta lë në fuqi menjëherë.

Vendimi i urgjencës u prezantua për të parandaluar dëmtimet dhe lodhjen në periudhën e bllokimit pas COVID, kur lojërat luheshin në temperature mjaft të larta çdo tre ditë. FIFA dha lejen që rregulli të vazhdojë për fushatën 2020-21, për shkak të rrethanave të pazakonta që vazhdojnë të ndikojnë në futboll.

Në takimin e zhvilluar pasditen e djeshme në ambientet e Ligës morën pjesë edhe 20 presidentët e klubeve të Seria A, njëri prej të cilëve rezultoi pozitiv në testin e COVID-19. Bëhet fjalë pikërisht për numrin 1 të klubit të Napolit, Aurelio de Laurentiis. Në faqen zyrtare të klubit thuhet se presidenti ka rezultuar mbartës i virusit të ri. De Laurentiis kishte shfaqur simptoma prej disa ditësh dhe për këtë kishte bërë testin. Ai vendosi të marr pjesë në takim ende pa iu konfirmuar përgjigja e testit.

Për më tepër, dëshmitarët okularë pretendojnë se De Laurentiis nuk ishte gjithnjë me maskë, duke rrezikuar jo pak kolegët dhe pjesëmarrësit në takim. Diçka që konfirmohet edhe nga shfaqja e tij gjatë raportimit për mediat.

Tashmë të gjithë ato që morën pjesë në Samitin e Lega Seria A do të duhet të testohen. De Laurentiis bëhet kështu presidenti i dytë i një klubi futbolli në Itali me Covid-19, pas atij të Monzës, Silvio Berlusconi, i cili aktualisht është në spital pasi vuanin nga pneumonia në lidhje me COVID-19.

Klan Plus