Një tjetër sasi kokaine është zbuluar këtë të martë në portin e Durrësit. Droga u zbulua në një kontenier me banane për llogari të një kompanie shqiptare dhe deri më tani, policia thotë se ka gjetur 14 pako me kokainë dhe ka ndaluar dy persona.

Ndërkohë gazetarja Enkeleda Arapi raporton se në kontenier dyshohet të ketë një sasi prej rreth 15 kilogramësh kokainë, megjithatë pesha e saj e saktë do të mësohet në momentin që përfundon peshimi. Ngarkesa dyshohet se ishte nisur nga Ekuadori.

“Kontejneri ndodhej prej 2 ditësh në portin e Durrësit. Agjentët e antidrogës e kanë kaluar në skaner aty ku kanë pikasur edhe një sasi lënde narkotike. Ata kanë pritur kompaninë përkatëse që do të vinte ta tërhiqte. Në momentin që ka ardhur kamioni i një kompanie për të marrë kontejnerin, janë ndaluar edhe personat në fjalë. Droga ishte e fshehur në pjesën fundore. Aktualisht është shoqëruar drejtuesi i kamionit dhe një person tjetër që mendohet se i përket kompanisë pritëse në vendin tonë. Në dëshminë paraprake dy personat e ndaluar kanë mohuar të kenë dijeni për drogën”, tha në një lidhje direkte gazetarja e Klan News, Enkeleida Arapi.

Paraprakisht dy personat e ndaluar nuk rezultojnë me precedentë penalë. Sa i përket emrit të kompanisë ai nuk bëhet i ditur, por mësohet se autoritetet po bëjnë kontroll edhe në ambientet e saj.

Port, Durrës /Informacion paraprak

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me banane për llogari të një firme në Shqipëri.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, deri tani janë gjetur të fshehura 14 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Kontrolli vijon.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë shoqëruar dy persona për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të./tvklan.al