Azdren Llullaku po konfirmohet si golashënuesi më i mirë në kampionatin rumun. Futbollisti i kombëtares shqiptare shënoi dy gola për ekipin e tij Gaz Metan në fitoren 3-1 jashtë fushe me Targu Muresh.

Mesfushori shënoi golin e parë në minutën e 7 të takimit. Llullaku shënoi edhe në minutën e 31. Ekipi i tij Gaz Metan me këtë fitore është ngjitur në vendin e 3 në renditje, 4 pikë pas dy ekipeve kryesuese.

Në Rusi Bekim Balaj dhe Odise Roshi po shndërrohen në dy lojtarë të rëndësishëm për skuadrën çeçene, Terek i Groznit. Me dy golat e Balajt në fitoren 4-1 me Uralin Tereku u ngjit në vendin e 4 të rendistjes që i siguron pjesëmarrjen në Europa League.

Sulmuesi shkodran shënoi fillimisht në fund të pjesës së parë falë insistimit të tij personal. Ai ndoqi aksionin deri në fund duke ushtruar presion ndaj portierit vendas.

Në pjesën e dytë Balaj i pamarkuar mori një asist nga Roshi dhe shënoi nga pozicion fare pranë portës.

3 minuta më pas Roshi ishte protagonist në golin e tretë të Terekut. Nëse topi nuk do të ishte prekur nga Dinga, goli do të quhej i fierakut, ose i Balajt për të cilin u nis pasimi.

Balaj është në vendin e dytë të renditjes së golashënuesve në kampionatin rus me 6 gola.

Tv Klan