Edhe sot 18 të infektuar nga Covid

Edhe sot 18 të infektuar nga Covid

11:13 15/05/2020

Manastirliu: Nëse rastet rriten, masat do të shtrëngohen

Për të dytën ditë radhazi Shqipëria ka regjistruar 18 raste të reja me koronavirus duke e çuar totalin e të prekurve në 916. Rastet e reja janë në Tiranë, Durrës, Berat e Krujë.

“Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Janë 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë. Ju informojmë se deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat”.

77 % e të infektuarve janë shëruar, ndërsa në spital ka një numër të ulët pacientësh që kanë nevojë për kujdes intensive.

“Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive”.

Minsitria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar se nëse numri i të infektuarve do të vijojë të rritet masat e izolimit do të shtrëngohen.

“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e rihapjes”.

Tre javet e fundit nuk është regjistruar asnjë humbje jete si pasojë e koronavirusit, ndërsa që prej fillimit të pandemisë 31 persona e kanë humbur betejën  me këtë virus.

Tv Klan

Të ngjashme

Grupi

Kallezo