Sërish përleshje mes refugjatëve dhe policisë në kufirin greko-turk



Sërish përleshje mes refugjatëve dhe policisë në kufirin greko-turk

10:58 04/03/2020

Të tjera përleshje mes policisë dhe refugjatëve janë shënuar mëngjesin e sotëm në Evros në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.

Shtypi grek raporton se emigrantët sirianë që po përpiqen të kalojnë në Greqi, hodhën gure e sende të forta në drejtim të forcave policore. Nga ana tjetër, policia greke u kundërpërgjigj me gaz lotësjellës.

Qindra mijëra refugjatë sirianë janë dyndur në kufirin grek pasi Turqia hapi kufijtë duke lejuar emigrantët të kalojnë për të shkuar drejt Greqisë.

Kufiri mes dy vendeve është rrethuar me gardh. Forca të shumta dhe barrikada policore të palës greke ndodhen në zone, duke mos lejuar refugjatë të kalojnë në Evropë. Gardhi është përforcuar edhe me forcat zjarrfikëse.

Mediat greke kanë publikuar video duke akuzuar policinë turke në anën tjetër të kufirit, që po hedh gaz lotësjellës në anën greke të gardhit, duke shtyrë emigrantët për të avancuar drejt Greqisë.

Në këtë video të publikuar nga “Protothema”, kjo gazetë shkruan se një patrullë turke që qëndron rreth 40 metra larg kufirit, qëllon me gaz lotësjellës drejt policisë greke.

Trazirat rifilluan mëngjesin e sotëm pasi një ditë më parë situata ishte qetësuar për shkak se në zonë mbërritën zyrtarë të Bashkimit Europian për të parë nga afër gjendjen. BE deklaroi se do të ndihmojë Greqinë duke akorduar një fond për përballimin e situatës. /tvklan.al



Të ngjashme