Të tjera telashe me drejtësinë për ish-kryeministrin maqedon Nikolla Gruevski. Pas dënimit me 2 vite burg për Mercedesin luksoz, Prokuroria Speciale në Shkup e ka vënë atë nën hetim sëbashku me disa prej ish-pjesëtarëve të kabinetit të tij për 6 raste abuzimesh me fondet publike që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 80 milionë eurosh.

Për njërin nga rastet hetimore të quajtur “Pacienti” krahas Gruevskit nën hetim është edhe zv/Kryeministri aktual Bujar Osmani. Emri i tij figuron në listën e 15 personave nën hetim që dyshohet se kanë abuzuar me disa tendera në vitin 2010 për rikonstruksionin e ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe objekteve spitalore në Shkup, Tetovë e Ohër.

Prokurorët hedhin dyshime për favorizim në tendera të dy kompanive kroate e bullgare, pavarësisht se ato kishin paraqitur ofertat më të shtrenjta. Dëmi përllogaritet në rreth 500 mijë euro.

Vetë Osmani i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur “spekulime”. Ndërsa Gruevski akuzoi qeverinë se me hetime të tilla kërkon vetëm të heqë vëmendjen e publikut nga referendumi i dështuar.

Tv Klan