Atmosfera te Manchester United në prag të ndeshjes së rëndësishme me Çelsin nuk është më e mira e mundshme. Shkak janë bërë tenisonet mes Zhozé Murinjos dhe Pol Pogbas. Trajneri portugez dhe blerja më e kushtueshme e “Djajve të Kuq” nuk e kanë gjetur asnjëherë sintoninë, që prej rikthimit të francezit në ‘Old Traford’.

Por, siç shkruajnë mediat britanike, këtë herë situata duket më delikate. Sipas tabloidit The Sun, Pogba ka shkuar t’i kërkojë llogari në zyrë Murinjos, për vendosjen e tij të gabuar. Por karakteri i fortë i trajnerit portugez, i cili nuk lejon kryengritje në dhomën e zhveshjes nuk e ka lejuar, dhe në moment Murinjo i ka treguar derën, duke i kujtuar mesfushorit 24-vjeçar se kush e drejton ekipin.

Tensionet mes të dyve vijojnë prej thuajse 2 muajsh. Në 5 ndeshjet e fundit, Pogba është zëvendësuar 2 herë, ndërsa 3 herët e tjera e ka nisur ndeshjen nga stoli. Krisjet me Zhozé Murinjon kanë shtuar zërat edhe për një largim të tij drejt Realit të Madridit, i gatshëm të bëjë çmenduri për ta pasur në skuadër.

Krahas përplasjes me Pogban, Murinjo ka edhe një tjetër sfidë këtë të dielë, atë me Antonio Conten, me të cilin 1 muaj më parë pati një përplasje të fortë në distancë, por gjatë konferencës për shtyp portugezi refuzoi të komentojë replikat e shkuara me italianin. Po ashtu edhe Conte u përgjigj shkurt kur u pyet nëse do të kishte një shtrëngim duarsh me Murinjon. Manchester UTD- Chelsea luhet të dielën në orën 15:00.

Tv Klan