Irani sekuestron një tjetër anije naftë-mbajtëse

Të tjera tensione në horizonte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Shkak është bërë sekuestrimi i një tjetër anijeje naftë-mbajtëse nga Teherani, në Gjirin Persik.

Forcat e Gardës Revolucionare iraniane njoftuan kapjen e anijes çisternë, që sipas tyre po transportonte kontrabandë 700 mijë litra karburant për llogari të vendeve arabe. Shtatë marinarët e anijes përfunduan në pranga.

Kapja e kësaj anije është e fundit e një serie incidentesh në Gjirin Persik, që kanë përplasur fort SHBA-në me Iranin. Më herët, Teherani ka sekuestruar 2 anije të tjera naftë-mbajtëse, njëra prej tyre me flamur britanik.

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Iranin se do të përballet me pasojat më të rënda që ka hasur ndonjëherë. Në të njëjtën kohë me deklaratat paralajmëruese, SHBA zhvendosi aeroplanmbajtësen ‘Lincoln’ në Gjirin Persik, si edhe dërguan 500 trupa ushtarake në Arabinë Saudite.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas vendimit të Presidentit Trump për të dalë nga marrëveshja bërthamore, pasi sipas tij, Teherani e kishte thyer atë dhe vijonte pasurimin e Uraniumit.

Tv Klan