Sërish tensione Turqi-Greqi


Sërish tensione Turqi-Greqi

21:10 08/08/2020

Ndizet sërish zjarri në Mesdhe. Tensionohen marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Pasi Athina zyrtare arriti marrëveshjen me Egjiptin për kufirin detar, një darkodësi e ngjashme si ajo mes Turqisë dhe Libisë, presidenti Erdogan urdhëron nisjen sërish të kërkimeve me sondë në zonën e ishujve, pranë Rodosit.

“Ne nuk e njohim marrëveshjen mes Greqisë dhe Egjiptit për kufirin detar. Ajo dakordësi nuk ka asnjë vlerë. Athina nuk e mbajti fjalën e dhënë kështu që ne do të vijojmë aksionin tonë kërkimor në det”.

Ndërhyrja e Turqisë në zonën e ishujve dha sinjale të një lufte dhe u duk sikur dy vendet u bënë gati ushtarakisht. Kërkimet nga ana e Turqisë u ndërprenë pas ndërhyrjes së kancelares gjermane Merkel dhe situata u qetësua. Por lëvizja e fundit shihet nga analistët si një krizë në marrëdhëniet dypalëshe që ndikon gjithë rajonin.

Edhe në daljen e fundit Erdogan e bëri të qartë se nuk do të tërhiqet pasi sipas tij kjo është e drejta e popullit turk. Interes ka përbërë edhe vizita e kryeministrit të Qipros turke në Ankara dhe takimi me presidentin Erdogan. Palët thanë se në takim u fol për gjendjen e pandemisë, por në media hidhen hipoteza për ndonjë lëvizje të radhës nga Turqia edhe për vendin që e konsideron si pjesë të saj.

Me interes pritet takimi dypalësh që do të zhvillohet në Ankara mes Turqisë dhe Greqisë ku në tryezë do të jetë edhe marrëveshja e Lozanës. Në vizitën e fundit në Athinë, Erdogan kërkoi që pakti të rishikohet dhe diçka e tillë do të kërkohet sërish nga pala turke.

Klan Plus




Të ngjashme