Nga oxhaku i Kapelës Sistine, tymi i bardhë që sinjalizoi zgjedhjen e Papës së Ri doli pasditen e kësaj të enjteje në orën 18:09 në përmbyllje të votimit të 4-t që prej nisjes së konklavës.

Rreth një orë më vonë, në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, kryekardinali Dominik Mamberti doli për shpallur në latinisht, zgjedhjen e Papës.

Ai është kardinali Robert Prevost dhe ka përzgjedhur që gjatë pontifikatit të tij të quhet Leoni XIV. Është 69 vjeç dhe ka lindur në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë kështu i pari Papë nga ky vend dhe nga Amerika e Veriut.

Në fjalën e tij të parë, në ballkonin e Bazilikës, Papa i ri u lut në italisht dhe spanjisht por jo në gjuhën amëtare për paqe në botën e trazuar nga konflikte që rrezikojnë shpërthimin e një lufte të re botërore.

“Paqja qoftë me ju… Na ndihmoni edhe ju të ndërtojmë ura me dialog e me takime, duke u bashkuar të gjithë, për të qenë një popull i vetëm, gjithmonë në paqe. Falenderojmë edhe Papa Françeskun”.

Shpallja e Papës së 267-të në historinë e katolicizmit mblodhi menjëherë në sheshin Shën Pjetër dhe përreth tij 150 mijë vizitorë e besimtarë që e ndoqën këtë zhvillim historik, drejtpërdrejtë.

Leoni XIV hyn tek papët e zgjedhur shpejt, siç ishin edhe pritshmëritë e 133 kardinalëve pjesëmarrës në konklavën që nisi pasditen e të mërkurës. Si ai, brenda 2 ditëve janë zgjedhur edhe Papa Gjon Pali i parë, Benedikti i 16-të dhe Papa Françesku.

Tv Klan