Disa e kujtojnë si prezantuese programesh për fëmijë, të tjerë e njohin si sociologe apo eksperte komunikimi, por sido ta ngacmojë kujtesën emri i saj, diçka nuk ndryshon: Manjola Lloja Bushati mbetet një  figurë e dashur. Ajo nuk di të ndalet dhe vetëm pak muaj më parë ka sjellë një libër mjaft interesant, “Ose ne” i cili shërben edhe si një lloj ditari për lexuesin.

Libri e ka marrë ‘vulën’ e aprovimit nga njerëzit e saj të dashur si bashkëshorti  apo vajzat, por nuk janë ata që kanë dërguar një mesazh për të te “Rudina” në Tv Klan. Mikesha e saj, Manjola Bregasi e ka surprizuar me disa fjalë zemre që e bënë të lotonte nga gëzimi.

“Manjo, kam vetëm 30 sekonda kohë për të folur për ty dhe më beso, jam unë më shumë e emocionuar sesa ti. Çfarë të them për ty? Që ecën duke kërcyer, që kërcen duke kënduar, që këndon duke punuar… nuk është lojë fjalësh, ti kështu je, je gjithmonë një shpirt i gjallë në dinamikë, në kërkim të cilësisë dhe  unë do ta mbyll me shprehjen tënde: Lum kush të ka shoqe!”

Me shumë emocione, Manjola tha se nuk janë takuar prej 3 muajsh, por koha larg-njëra tjetrës nuk e zbeh aspak raportin e tyre.

“Është surprizë fantastike! Manjolën nuk e kam takuar për shkak të impenjimeve të saj dhe të miat që nga dita që kam promovuar librin, janë gati 3 muaj, është tamam ajo poezia e Kadaresë ‘jetojmë të dy në një qytet dhe rrallë shihemi sa rrallë’ dhe kur zbrita nga makina këtu, i çova një ‘voice message’ dhe u thashë o Manjo, unë jam te Rudina sot, a je ti këtu që të të shoh 5 minuta? Dhe ajo më tha ‘nuk jam, në çfarë ore je ti që të të shoh?’”, përfundoi Manjola duke e cilësuar shoqen e saj mes shembujve të mirë sesi “miqësia nuk ka moshë, kufi e receta”./tvklan.al