Me emrin e Paola Severinos është i lidhur një nga ligjet më të rëndësishme në Itali të miratuar vitet e fundit për luftën kundër korrupsionit ku u bazua edhe Shqipëria në atë që quhet ligji i dekrimalizimit i cili ndalon marrjen e detyrave shtetërore të personave me të shkuar kriminale. Ish-ministrja e drejtësisë e Italisë ka ardhur sërish në Tiranë këtë herë si përfaqësuese e posaçme e presidentit të OSBE-së për luftën kundër korrupsionit. Mesazhi i saj për politikën shqiptare është i qartë se nuk mjaftojnë ligjet për të luftuar korrupsionin.

Paola Severino:

Në Itali ne kemi pasur një luftë vërtet serioze kundër korrupsionit, por është e qartë se jo vetëm ligji që mundëm të miratonim në vitin 2012 ishte diçka e rëndësishme. Por ne vazhduam të miratonim ligje, të implementonim ligje të reja duke e shtyrë parlamentin të ishte i vëmendshëm ndaj këtij fenomeni, duke shtyrë gjykatësit të ishin të vëmendshëm ndaj këtij fenomeni, të shtynim administratën publike dhe kompanitë private ta luftonin në mënyrë serioze korrupsionin. Pra, besoj se çështja kryesore është vazhdimësia e luftës kundër korrupsionit i cili është një fenomen kompleks.

Pas një takimi me përfaqësues të shoqërisë civile ish-ministrja italiane e drejtësisë kërkoi më shumë angazhim nga autoritetet shqiptare për të luftuar korrupsionin si dhe për ta bindur publikun se ky fenomen po luftohet me seriozitet.

Tv Klan