Shehi: Nuk do t’i hiqja asnjë presje, të punojmë për Europën

Pas shpalljes kampion disa javë parapara fundit të kampionatit te Tirana i gëzohen një sezoni të suksesshëm. Trajneri i bardhebluve Orges Shehi është i bindur se nga ajo ecuri nuk dëshiron të ndryshojë asgjë.

“Nuk mendoj se ka pas gjëra që po të kthejmë kohën pas t’i përmirësojmë. Madje mendoj se është një nga sezonet më të mirë, jo vetëm i yni, por i të gjithë ekipeve në Shqipëri, që të krijojnë një distancë të tillë dhe të dominojmë të gjithë kundërshtarët. Nuk dua t’i heq asnjë presje dhe po të kthej kohën pas unë dua që ky sezon të përsëritet, pasi ka qenë një sezon mbresëlënës”, tha Shehi.

Shehi tregon për TV Klan edhe strategjinë që po ndiqet për kupat e Europës.

“Periudha e pushimit të lojtarëve është e pakët dhe po i lemë pushim me radhë, pasi kemi futbollistë të cilët grumbullohen me Kombëtaren dhe nuk kanë asnjë ditë pushim. Edhe këto kohë do të punojmë për të plotësuar skuadrën dhe pastaj të fillojmë fazën përgatitore më 6 Qershor”, u shpreh Shehi.

Orges Shehi foli edhe për të ardhmen e tij te Tirana, një bashkëpunim që ka nisur në një periudhë të vështirë, në Janar të 2021.

“Periudha e parë do të thoja që ishte në janar dhe ishte në kuadrin e vështirësisë, të tranzicionit, pasi isha trajneri i tretë atë sezon. E dyta ishte vjet, një bashkëjetesë e imja, e lojtarëve, e klubit me njëri-tjetrin, dhe besoj se tani ka ardhur koha për martesë. Gjithçka është e zgjidhur, pasi mungon vetëm firma që është diçka formale”.

Tirana nën drejtimin e Orges Shehit siguroi titullin e 26 në historinë e klubit.

Tv Klan