Në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, ndau një analizë të gjendjes aktuale të turizmit në Shqipëri. Sipas tij, rreth 70% e kapaciteteve të hoteleve për turizmin e organizuar janë rezervuar nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa turizmi individual tregon rezultate të ndryshme në varësi të hoteleve.
Diaspora dhe të huajt janë më të shpejtë në rezervime, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës zakonisht rezervojnë afër kohës së pushimeve.
Çmimet e hoteleve kanë pësuar rritje, por Kasa thekson se kjo është e justifikuar dhe në përputhje me trendet globale.
Megjithatë, disa hotele në jug vitin e kaluar u detyruan të ulnin çmimet pasi rritjet e tyre nuk u pranuan mirë nga turistët. Flukse turistike kryesore vijnë nga Europa Qendrore (Polonia, Çekia, Hungaria) dhe Lindja e Mesme, ndërsa Gjermania, Austria dhe Zvicra mbeten tregje të rëndësishme për turizmin individual.
Kasa thekson se kënaqësia e turistëve është çelësi i suksesit, pasi turistët e kënaqur sjellin të ardhura të qëndrueshme në ekonomi. Një sfidë e madhe për sektorin është mungesa e stafit menaxhues, ndërsa punonjësit e niveleve më të ulëta janë marrë nga vende si Filipinet, Tajlanda dhe India.
Për turizmin elitare, Kasa beson se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të ecur, duke theksuar se Sazani mund të jetë një potencial, por vendi nuk është ende në nivelin e destinacioneve si Santorini ose Mykonos.
Në fund, Kasa vuri në dukje problemet e trafikut në Ksamil, ku turistët kanë kaluar deri në 3 orë në trafik për të arritur nga Saranda. Ai theksoi nevojën për rrugë alternative për të përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e këtij destinacioni./tvklan.al