Kryeministri Edi Rama, ditën e sotme në një takim me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit në Durrës u ndal tek përgatitjet për sezonin e ri veror.
Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se vendi ynë në sektorin e turizmit ka paga njësoj ose më të mira se Greqia fqinje. Kryeministri theksoi edhe vlerësimet nga organizatat botërore për rritjen e turizmit në vendin tonë, teksa thotë se vendi është në një moment të brishtë dhe nuk duhet të ndalen investimet në drejtimet e duhura.
Kreu i qeverisë shprehet se sektori privat duhet të investojë më shumë në cilësinë e shërbimit, pasi duhet të synojmë që të kemi turistë që konsumojnë shumë, në mënyrë që në vendin tonë të ngelen më shumë para.
“Krahu i lirë i punës nuk mund të jetë një avantazh konkurrues dhe siç dëshmojnë shumë realitete ne kemi paga që janë njësoj ose më të mira se në Greqi, në një nivel të caktuar dhe sot kemi nja 40 hotele që janë me brande ndërkombëtare me 5 yje. Kemi një volum projektesh në vazhdim që janë vërtetë një gjeneratë tjetër e turizmit dhe cilësisë dhe një gjeneratë tjetër e volumit financiar, që është përgatitur të investohet në Shqipëri, nga investitorë vendas dhe të huaj. Besoj se nga ana tjetër, edhe volumi i investimeve i qeverisë dhe bashkive është rritur si asnjëherë më para në funksion të turizmit dhe do vazhdojë të rritet.
Keni parasysh që sipas Organizatës Botërore të Turizmit ne jemi vendi me rritjen më të lartë në Europë, në raport me vetveten dhe jemi në 5-shen e parë në botë për rritje të vazhdueshme çdo vit në këtë sektor. Kemi një pozicion në 10 vendet me përmirësimin më të madh në indeksin e zhvillimit të udhëtimit në funksion të turizmit. Kemi rritjen më të madhe vjetore të numrit të netëqëndrimeve në strukturat akomoduese turistike.
Jemi në një moment të brishtë, pasi nëse nuk investojmë akoma më shumë në drejtimet e duhura ne mund ta humbim këtë volum. Për ta mbajtur këtë volum dhe për ta rritur në mënyrë të qëndrueshme, ne duhet të jemi të qartë se çfarë duhet të bëjë sektori privat dhe shteti dhe në këndvështrimin tim, sektori privat duhet të ketë vetëm një fjalë, cilësinë. Cilësia e shërbimit, cilësia në çdo gjë që bëhet. Nuk është më koha e sasisë dhe hedhja e parave kuturi, por është koha që çdo qindrakë ta investojë në cilësi. Në cilësinë e të gjithë zinxhirit të shërbimeve. Mos hezitoni të rrisni pagat edhe më shumë.
Duhet më shumë sepse ajo që duhet të synojmë ne nuk është të rrisim numrin, por të rrisim numrin e turistëve që konsumojnë shumë në mënyrë që të mbeten më shumë para këtu. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për punën që duhet të bëjmë. Por kur e mendon që në këtë vend nuk kishte asnjë ligj për turizmin, rregullore për plazhet, s’kishte sistem ndërveprimi mes qeverisë dhe sektorit privat. Ky ka qenë kaosi që ne kemi trashëguar, por ajo që vlen sot të kuptohet nga të gjithë është që kjo që kemi bërë është shumë e rëndësishme”, theksoi Rama.
/tvklan.al