Në periudhën Korrik – Gusht u shënuan 296 aksidente me 37 viktima

Aksidenti i rëndë në autostradën Fier-Vlorë ku u shua familja Gushi në nisje të sezonit turistik mobilizoi policinë rrugore për të kryer kontrolle me qellim parandalimin e ngjarjeve me pasoja.

Pavarësisht kësaj gjatë periudhës Korrik-Gusht pati rritje të aksidenteve rrugore. Në këtë periudhë u regjistruan 296 aksidente të rënda, nga 260 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Gjatë kësaj kohe është rritur edhe numri i personave të lënduar në aksidente. Plagë të lehta dhe të rënda, jo serioze për jetën kanë marrë 317 persona, nga 284 që ishin gjatë verës së vitit të kaluar.

Megjithatë, numri i qytetarëve që kanë humbur jetën gjatë kësaj kohe ka rënë, nga 40 që ishte Korrik-Gushtin e 2020, në 37 gjatë kësaj vere.

Gjatë kësaj periudhe nga policia rrugore janë vendosur mbi 95 mijë masa administrative, si dhe janë arrestuar 610 shoferë. Shkelja më e rëndë gjatë kësaj kohe ka qenë parakalimi i gabuar.

Shifra në rritje paraqiten edhe përgjatë 8-mujorit, ku nga 765 aksidente, këtë vit u regjistruan 971. Rritja në tetë muaj kanë pësuar edhe qytetarët e vdekur, konkretisht 143 nga 114 që ishin vitin të shkuar. Me të njëjtin trend është edhe numri i të plagosurve, 1187 këtë vit nga 980 që ishin gjatë 2020.

Tv Klan