Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Andorrën, në eliminatoret e Botërorit.

Gjimshiti kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët, duke thënë se kundërshtarë si Andorra mund të hapin probleme.

Sipas tij, presioni është prezent, por shtoi se është diçka pozitive kur kërkohet fitorja.

“Edhe ndeshjen me Anglinë e quaja si mundësi. Ishte një mundësi për ne. Anglia është ekip që luan gjithmonë për të fituar trofe. Nesër do të jetë ndeshje tjetër. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Të gjithë duhet të jenë të përqendruar. Ne letër mund të mos duket e vështirë, por në fushë mund të jetë ndryshe.

Kanë një përparësi që kanë të njëjtin trajner prej shumë kohësh dhe janë të njëjtët lojtarë. Janë të përgatitur fizikisht. Luajnë në mbrojtje. Duhet t’i fusim në duele individuale me sulmuesit tanë që të krijojnë hapësira dhe mendoj se ky do të jetë kyçi.

Në futboll në çdo ndeshje e ke presionin. Është një presion ndryshe nga Anglia. Jemi ne favoritë. Duhet të mësohemi me këtë presion. Kam qenë edhe unë kur na barazuan 2-2 në Shqipëri, na shënuan në dy raste.

Jemi falënderues ndaj tifozëve. E kam thënë gjithmonë se janë më të mirët në botë. Besoj dhe e di se do të na mbështesin edhe në këtë ndeshje.

Kombëtarja është ndryshe. Nuk je me atë që luanë afër teje prej shumë kohësh. Nuk i di lëvizjet e shokut. Është psikologjike mendoj, si ndaj Anglisë. Kur të mbajnë lart, është e vështirë për të bërë anën pozitive.

Shpresoj të rikthehen fitoret në stadiumin tonë. Ndeshjet nuk fitohen se jam unë. Puna ime është që të mos pësojmë gol. Kemi mësuar nga ndeshjet e kaluar. Do përmirësohemi në kualifikueset e Botërorit. Duam t’i japim kënaqësi tifozëve.

Jemi të gjithë profesionistë. Do jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të jemi të përqendruar, sepse mund të pësosh me këto kombëtare të vogla”, deklaroi Gjimshiti.  

Ndeshja Shqipëri-Andorrë do të transmetohet në TV Klan.

/tvklan.al