Përvjetori i armatës së Maqedonisë së Veriut

Nga viti 1943, në ditën e sotme, kur është formuar batalioni i parë i partizanëve për luftë kundër fashizmit në Evropë, deri më sot kur armata e Maqedonisë është një hap drejt kyçjes në aleancën më të madhe ushtarake në botë, ka qenë rrugë e mundimshme e më shumë gjeneratave që të arrihet deri te anëtarësimi në NATO, organizatë qëllimi i së cilës është që të ruhet paqja dhe trashëgimia e përbashkët e civilizimeve në botë, përmes vlerave dhe lirive demokratike. Deri te pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut, në ditëlindjen e saj, arritën shumë mirënjohje, urime por edhe sfida të reja që lidhen me ngjarjet aktuale në vend.

“Sundimi i së drejtës është kusht i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë dhe për zhvillimin e shoqërisë së lirë. Për këtë arsye, përparësia jonë absolute është që t’a ngremë sundimin e së drejtës në vlerën tonë më të lartë dhe ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet dhe në shtet. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi partner i përgjegjshëm dhe i sigurtë i aleatëve tonë në NATO”, thotë Presidenti Pendarovksi.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski përkujtoi se anëtarësimi në NATO është zgjedhur para 26 viteve, si qëllim strategjik dhe faktor i fuqishëm koheziv në shoqërinë shumëpartiake dhe etnikisht të ndryshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjes me Greqinë rreth emrit të vendit i hapi dyert për anëtarësim në NATO, gjë që autoritetet në Shkup presn zyrtarish të ndodhë në Dhjetor të këtij viti.

“Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë anëtarja e ardhshme, e 30-të e aleancës së NATO-s, ndërsa ushtarët dhe oficerët tonë profesionalë treguan se janë partnerë me aleatët tonë, me aftësi që së bashku të garantojnë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Ju falenderoj për të gjitha angazhimet bujare, të ndihmoni, të siguroni, bashkë me të gjithë qytetarët, të ardhme me perspektivë për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme“, shprehet Kryeministri Zaev.

Në urimin e liderit të opozitës, Hristijan Mickovski, thuhet se Armata e Maqedonisë si pasardhëse e idesë për liri, nga koha e luftës kundër fashizmit, duhet të bëhet roja e saj më besnike. Por sipas tij, armata është më shumë e angazhuar  sesa merr shpërblim.

“Kushtet në të cilat punoni nuk janë të barabarta me punën dhe angazhimin intensiv që e jepni. Për këtë arsye duhet të punohet për kushte më të mira dhe standard më të lartë. Vjen një kohë e re, koha për rilindjen e Maqedonisë, ku do të vlerësohet secili”.

Por ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska shpreh bindjen se kushtet për punë, si dhe pagat e ushtarëve, po përmirësohen vazhdimisht. Ajo i falenderoi për ndihmën dhe guximin në të gjitha operacionet, në vend dhe jashtë.

“Për të gjitha sfidat që i duruat në mënyrë stoike, për guximin në Irak, në Afganistan, në Liban, në Bosnjë e Hercegovinë. Për qëndrueshmërinë në Krivollak, për pasionin dhe konkurencën në garat ushtarake në Britani të Madhe, në Kinë dhe në Kroaci, për sakrificën në Stajkovcë, në Tetovë, në Shkup gjatë shpëtimit të jetëve të njerëzve, për guximin në tokë dhe në ajër gjatë ballafaqimit me zjarret”.

Manifestimin e Ditës së Armatës së Maqedonisë, në qendrën për trajnime në ujë në Ohër, e ndoqi edhe koloneli amerikan Riçard Najt nga Garda Kombëtare e Vermontit, e cila në 25 vitet e kaluara bashkëpunim me Maqedoninë, deri tani ka trajnuar rreth 5000 ushtarë nga vendi. Në mes të ftuarve ishte edhe një delegacion i lartë i Forcave të Armatosura të Bullgarisë, e udhëhequr nga kryeshefi i shtatmadhorisë, gjenerali Andrej  Bocev.

Në dy dekadat që kaluan disa mijëra pjesëtarë të armatës së Maqedonisë kanë marrë pjesë në misionet e paqeruajtëse të NATO-s, kryesisht në rajonet postkonfliktuale në Lindjen e Afërt, si dhe në stërvitje të përbashkëta ushtarake me skenare të ndryshme. Deri në fund të vitit pritet furnizim me disa automejte të reja luftarake, si pjesë e ndihmës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përmirësim të armëve dhe pajisjeve për ushtrinë e Maqedonisë, në shumë prej rreth 30 milionë Dollarësh.

Tv Klan