Edi Reja komenton listën: Na penalizojnë dëmtimet, Fifa mban “peng” Bajramin

Kombëtarja shqiptare e futbollit është gati për të nisur zborin në prag të tre ndeshjeve eliminatore të Botërorit “Katar 2022”, ndaj Polonisë në transfertë dhe Hungarisë e San Marinos në “Elbasan Arena”. Trajneri Reja i është përgjigjur interesimit në lidhje me listën e lojtarë të grumbulluar dhe sfidat që e presim skuadrën në këto ndeshje të muajit shtator.

“Sezoni në pjesën më të madhe të kampionateve ku aktivizohen lojtarët tanë sapo ka filluar, dhe gjendja fizike e tyre është një element që duhet të shikohet me kujdes nga stafi teknik në këtë grumbullim që do bëhet në Varshavë.  Ka lojtarë që po luajnë rregullisht. Do ta shikojmë dhe do ta verifikojmë në Poloni. Do të flas me të gjithë lojtarët për t’i pyetur për gjendjen e tyre”, është shprehur Edi Reja.

Reja zbuloi edhe situatën me dy mesfushorët, Taulant Xhakën dhe Nedim Bajrami, i cili pret lejen nga FIFA për tu veshur kuqezi.

“Xhaka ka pothuajse 6 muaj që është i dëmtuar, ndërsa tani po rikuperohet. E kam thirrur në kombëtare, por për shkak të dëmtimit në gju nuk ka arritur që të jetë pjesë e jona. Për Bajramin, FIFA na ka lënë ende në pritje. Të martën maksimumi do të marrim një përgjigje. Ai dëshiron që të luajë me Shqipërinë. Uroj që të vijë, pasi është lojtar që ka cilësi, driblon kundërshtarin dhe synon portën”, ka thënë Reja.

Kombëtarja shqiptare do të zbres në fushë më 2 Shtator në transfertën e Polonisë, për të sfiduar më pas Hungarinë më 5 Shtator dhe tre ditë më vonë San Marinon. Pas tre sfidave të para, kuqezinjtë tanë gjenden në vendin e tretë me 6 pikë në grupin I.

Klan News