“E vetmja rrugë për të bindur opozitën parlamentare”

I pari zë brenda mazhorancës që përkrah kërkesën e opozitës parlamentare për listat të hapur për kandidatët për deputet, Adnor Shameti shpjegon në një intervistë për Tv Klan arsyet.

E para dhe më logjikja për të është se kjo është e vetmja marrëveshje ligjore që mund të bindë opozitarët të votojnë amendimet në ligjin elektoral.

“Nuk ka zgjidhje ligjore apo ekstraligjore, që të tejkalojë si komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, ashtu edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.

Një arsye tjetër, Shameti sheh dhe rritjen e demokracisë së brendshme në parti.

“Shumë të shëndetshme për demokratizimin e jetës brenda subjekteve politike”.

Shameti mohon se shumica  po artikulon përmes zërit të tij këtë qëndrim pro listave të hapura si një alternativë për të kënaqur opozitarët për të arritur të bashkojnë votat me ta për një tjetër amendim që kërkon ndryshim kushtetues, daljen në zgjedhje pa koalicione parazgjedhore.

“E shikoj qënien e koalicioneve më shumë si mënyrë arratisje për të futur elementë, të cilët mezi i nxorrëm, duke patur parasysh edhe përvojën e fundit të zgjedhjeve të vitit 2017, që ato që ne i nxorrëm nga dera, të futen nga dritarja. E kam fjalën për ligjin e dekriminalizimit, kështu që çdo parti të luftojë vetë dhe të mbajë përgjegjësitë e veta politike”.

Ndryshe nga sa mendon Damian Gjiknuri, për Shametin është koha e mjaftueshme që të bëhen ndryshime kushtetuese që mund të hyjnë në fuqi edhe për zgjedhjet e 2021.

“Nuk është vonë për asgjë në botë. Është lehtësisht e realizueshme”.

Tv Klan