Deputeti i Partisë Socialiste Adnor Shameti i ftuar në Milori Live, ka komentuar vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Bruksel lidhur me integrimin e vendit në BE.

Ai tha se ishte koha që përfaqsuesit zyrtarë të Brukselit të vlerësojnë arritjet e qeverisë shqiptare dhe se ishte gjë e mirë që të gjithë së bashku vlerësuan që Shqipëria i ka bërë “detyrat e shtëpisë.”

Deputeti u shpreh se ndër vlerësimet më të rëndësishme që iu bënë vendit ishte ai për reformën në drejtësi.

 “Vlerësimi më i madh shkon për kompletimin e procesit në reformën në drejtësi. Është reforma më e vlerësuar  në 30 vitet e fundit dhe Shqipëria është marrë si model në realizimin e një reforme të tillë, edhe përfaqsuesit zyrtarë të BE-së kanë nxitur vendet e tjera për ta marrë  Shqipërinë model në këtë drejtim.”

 I pyetur më tej rreth procesit zgjedhor, Shameti siguroi që do të merren të gjitha masat për realizimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe dinjitoz.

 “Në si Parti Socialiste i kemi vlerësuar në kohë të gjitha shqetësimet e ngritura si nga Brukseli zyrtar ashtu edhe nga partnerët tanë euroatlantik, ju siguroj që PS do të marrë të gjitha masat dhe kushdo që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësinë ligjore.”

Ndërsa sa i përket përzgjedhjes së deputetëve, duke marrë parasysh që Brukseli zyratar ka kërkuar që listat e deputetëve të jenë me kandidatë me integritet, Shameti siguroi që PS po zhvillon një proces mjaft transparent dhe po plotëson të gjitha kërkesat ligjore.

“Ju siguroj që Partia Socialiste ka zhvilluar një proces gjithëpërshirës për zgjedhjen e deputetëve, ju siguroj që do të bëjmë më të mirën tonë që procesi të jetë transparent dhe do të realizojmë të gjitha kërkesat që kërkon ligji i dekriminalizimit dhe ligjet e tjera.”

Klan News