“Diskutuam nevojën për të rritur nivelin e kontrollit të mesazheve në gjuhën shqipe”

Rastet e fundit të vetëvrasjeve si pasojë e shantazheve dhe bulizmit në rrjetin social TikTok ishin temë e bisedës së kryeministrit Edi Rama me drejtues të platformës sociale në Mynih.

Rritja e kontrollit të mesazheve në gjuhën shqipe është një nga masat që po diskutohen nga kompania.

“Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.”

Gjatë takimit, kreu i qeverisë është informuar mbi rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe investimeve të kompanisë Tik Tok si dhe mënyrat për përballimin dhe shmangien e tyre.

Kohët e fundit dy gra i kanë dhënë fund jetës për shkak të denigrimit, shantazheve dhe publikimit të fotove intime në rrjetin social Tik Tok.

41-vjeçarja Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve humbi jetën pasi piu fostoksinë në filim të Janarit. Asaj i ishte hapur një adresë në rrjetin Tik Tok, ku ishin publikuar mesazhe fyese ndaj saj. Për këtë u arrestua bashkëshorti i saj, i cili akuzohet se e dhunonte psikologjikisht dhe fizikisht, duke e shtyrë drejt vetëvrasjes.

Një tjetër ngjarje ndodhi pak ditë më parë. Isabela Abedini u vetëvra, duke u hedhur nga kati i katër i pallatit ku jetonte në Kamëz. Sipas policisë shkak për këtë u bë publikimi i një fotoje intime të 27-vjeçares nga 39-vjeçari Altin Çoku, i cili tashmë është i arrestuar, i akuzuar si shkaktar i vetëvrasjes së 27-vjeçares.

Klan News