Zvicra mundi Turqinë me rezultatin 3-1 në Baku në takimin e fundit të Grupit A. Helvetëve iu deshën vetëm 7 minuta që të gjenin golin e avantazhit. Seferoviç gëzoi të tijtë, pasi gjuajti saktë me të majtën. Helvetët shtuan presionin. Shaqiri çoi rezultatin në 2-0 me një gjuajtje shumë të bukur në të 26, që portieri Çakir e pati të pamundur që ta kapte.

Në pjesën e dytë, Turqia u shfaq më kërkuese. Goli erdhi me anë të Kahveçit në minutën e 62. Por gëzimi i turqve zgjati vetëm 6 minuta, pasi Shaqiri realizoi golin e tij të dytë dhe të tretin për helvetët.

Xherdan Shaqiri ishte lojtari që bëri diferencën në fushë me 2 gola të shënuar dhe mban gjallë shpresat e ekipit për të shkuar në fazën pasardhëse si kombëtarja e tretë më e mirë. Shaqiri ka shënuar në Kupën e Botës në 2014 dhe 2018 dhe në Euro 2016 dhe Euro 2020. Lojtarët e vetëm që kanë realizuar si ai janë Kristiano Ronaldo, Lukaku dhe Perisiç.

Skuadra e mbylli fazën e grupeve me 4 pikë, po aq sa edhe Uellsi, por pas me diferencë golash. Turqia zhgënjeu në këtë evropian, duke mos fituar asnjë takim. Gjysmëhënat shënuan vetëm një herë në tri takime dhe pësuan 8 gola.

Klan News