ivi kasoNumri i të larguarve nga rradhët e administratës publike të cilët i janë drejtuar për asistencë ligjore falas zyrës së vënë në dispozicion nga Partia Demokratike i ka kaluar 1 mijë e 500 personat. Përfaqësuesi i kësaj zyre, juristi Ivi Kaso thotë se të shkarkuarit nga qeveria e majtë janë pushuar nga puna në kundërshtim me ligjin e vjetër të nëpunësit civil, si dhe atë të ri të miratuar më konsensus nga kuvendi në muajin maj të vitit të shkuar .

Sipas juristit Kaso, veç ankesave në zyrën ligjore pranë Partisë Demokratike, shumë raste janë ndjekur privatisht në gjykata.

Sipas tij rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i aktit normativ të qeverisë për shtyrjen me gjashtë muaj të hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil e detyron qeverinë të rikthejë në punë të gjithë të shkarkuarit. Edhe nëse kjo nuk ndodh Kaso thotë se gjyqësori sërish e ka një zgjidhje.

Për tu ardhur në ndihmë të larguarve nga administrata publike pak muaj më parë selia blu anonçoi edhe një portal online ku qytetarët denoncojnë shkarkimet nga puna. Paralelisht me këto largime qeveria ka nisur proçedurat për hapjen e konkurseve për vendet e reja të punës në administratën publike.