Shtetet e Bashkuara do të përforcojnë me 1 mijë trupa shtesë praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme. Sipas një komunikate për shtyp të Pentagonit, vendimi u mor pas rritjes së tensioneve prej sulmit ndaj dy anijeve naftëmbajtëse në Gjirin e Omanit, për të cilin Uashingtoni akuzon Teheranin.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Patrik Shanahan tha dërgimi i tyre ka për qëllim të përforcojë mbrojtjen e interesave të vendit të tij ndaj kërcënimeve në rritje në Lindjen e Mesme. Megjithatë sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë me Iranin.

Pentagoni publikoi edhe këto foto të reja me ngjyra, që faktojnë operacionin e trupave iraniane për largimin e minave të pashpërthyera të vendosura prej tyre në anijet cisterna. Imazhet u publikuan si fakte shtesë për të bindur vende si Gjermania që kanë shprehur skepticizmin për akuzat e amerikanëve që e lidhin Iranin me ngjarjen. Teherani ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, duke akuzuar Uashingtonin për fushatë shpifjesh pas vendimit të qeverisë iraniane për t’iu rikthyer aktivitetit bërthamor. Shtetet e Bashkuara kanë një prani ushtarake prej rreth 10 mijë trupash në Lindjen e Mesme.

Tv Klan