Do t’u vijnë në ndihmë banorëve të prekur nga virusi vrasës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë renditën të tretët në botë për numrin e lartë të të infektuarve me koronavirus me gati 35 mijë persona. Numri i viktimave në vend  ka shkuar në 458.

Për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit vdekjeprurës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të aktivizojë Gardën Kombëtare për të ndihmuar në ngritjen e stacioneve mjekësore dhe shpërndarjen e qindra tonelatave furnizime në  shtetet e goditura më shumë nga shpërthimi i koronavirusit si në Kaliforni, Nju Jork dhe Uashington.

Nju Jorku ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus me mbi 15,000. Kryebashkiaku i këtij shteti Bill de Blasio ka deklaruar se brenda kësaj jave spitalet në këtë të vend do të përballen me mungesë të theksuar të aparaturave mjekësore.

Ndërkohë Kongresi po punon për të hartuar  një paketë ligjore për të lehtësuar situatën e krijuar nga virusi vdekjeprurës, kostoja e së cilës mund t’i kalojë 1 trilionë dollarët. Grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë po punon për të plotësuar mangësitë në furnizimin me pakisje mjekësore.

Për momentin qeveria federale ka porositur 600 milionë maska për 18 muajt e ardhshëm. Por sipas autoriteteve amerikane kërkesa për ato madje edhe për veshje të posaçme për personelin mjekësor mund të shkojë në 1 miliard.

Ndërkaq kreu i Shtëpisë së Bardhë shqyrton mundësinë për të liruar disa të burgosur që nuk janë të dhunshëm dhe kanë patur sjellje të mirë , kjo për shkak të COVID-19.

Disa shtete të SHBA, përfshirë Kalifornia, Nju Jork, Ohio dhe Teksas kanë filluar lirimin e disa të burgosurve, si dhe ata që janë të moshuar ose të sëmurë si pasojë e virusit.

Autoritetet kanë mbyllur shkollat, kanë anuluar aktivitetet sportive, kulturore, madje edhe parqet muzeumet, kinematë e teatrot janë mbyllur. Po ashtu fenomeni i humbjes së vendit të punës në Amerikë po ndihet gjithnjë e më shumë pasi një pjesë e kompanive të mëdha janë mbyllur për shkak të përhapjes së koronavirusit. 

Klan Plus