Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës.

Ndërsa zyra e Delegacionit të  BE-së në Tiranë theksoi në reagimin e saj se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.”

Ambasada britanike thekson se skenat jashtë Bashkisë së Tiranës si dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci ndaj dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit.

Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit. Ndërkaq prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës. Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo.

Reagimi i ndërkombëtarëve vjen në një kohë që opozita kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj të cilin e akuzon se ka bashkëpunuar me drejtorët e tij të arrestuar nga SPAK-u në vjedhjen e fondeve publike. Sipas tyre SPAK nuk ka kurajo të shkojë më lart në hetimet e tij. Gjatë protestës rrezikuan jetën forcat e rendit ndërsa ndaj tyre u përdorën mjete piroteknike dhe forcë fizike.

Klan News