SHBA-BE: Ndryshimet kushtetuese, në frymën e 5 Qershorit


SHBA-BE: Ndryshimet kushtetuese, në frymën e 5 Qershorit

12:02 27/07/2020

Ambasadoret Kim e Soreca takojnë Ramën

Yuri Kim është rikthyer këtë fillim jave në zyrën e Kryeministrit Rama, por kësaj here e shoqëruar dhe nga Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Pas një ore takim, zyrat e shtypit të dy diplomatëve kanë pranuar t’i përgjigjen interesit të gazetarëve, duke zbuluar çështjet që u diskutuan.

Veç falenderimeve për kreun e qeverisë për angazhimin në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit, Kim dhe Soreca i kanë shprehur dhe opinion e tyre se diskutimet për ndryshimet kushtetuese duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

Edhe pse në të njëjtin qëndrim artikulimi i dy ambasadorët ka detaje që i dallon.

“E falenderoi Kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masa shtesë. Siç kemi thënë publikisht, theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”.

“Falenderoi Kryeministrin për angazhimin e tij në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe e ftoi atë që të punojë me shpejtësi për zbatimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai mirëpriti vazhdimin e diskutimeve në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet shtesë, për të respektuar frymën dhe rezultatet e 5 qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për çështjet elektorale”.

Si gjithmonë, kur politika shqiptare “ndizet” për çështje të ndryshme, ambasadorët e SHBA dhe BE janë aktivë në selitë e qeverisë, opozitës dhe presidentit, për të ndihmuar që palët të afrojnë qëndrimet e tyre. Edhe marrëveshja e 5 Qershorit ishte rezultat i negociatave të diplomatëve të huaj në Tiranë, ku rolin kyç e kishte zyra e BE.

Tv Klan



Të ngjashme