Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lënë mënjanë gjuhën diplomatike dhe ka folur ashpër kundër vendimit të opozitës për të djegur mandatet. Kërcënimi i PD dhe LSI, thuhet në një deklaratë të selisë diplomatike të Rrugës së Elbasanit, saboton përparimin e Shqipërisë dhe minon demokracinë.

“Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme.”

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Ambasada Amerikane në Tiranë u drejtohet deputetëve të opozitës, duke u kërkuar të refuzojnë thirrjet nga partitë e tyre për t’i djegur mandatet.

“Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”.

Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane reagon fort ndaj veprimeve ekstreme të ndërmarra nga partitë politike në Shqipëri. Të shtunën ajo dënoi aktet e dhunës në protestën e opozitës dhe sulmin ndaj institucioneve.

Edhe Bashkimi Europian është shprehur qartë kundër djegies së mandateve. Zëdhënësja e Komisionit, Maja Koçijançiç deklaroi se vendimi i opozitës shqiptare për të bojkotuar parlamentin dhe djegur mandatet është kundër-produktiv dhe shkon kundër reformave që kërkon integrimi i vendit në familjen europiane.

Tv Klan