Ushtria izraelite thotë se ka goditur rreth 75 objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor dhe në rajonin e Beka gjatë natës. Deklarata erdhi disa orë pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tjerë bënë thirrje për një armëpushim 21 ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Siç shkruan BBC, aleatët thanë se luftimet përbejnë një ‘rrezik të papranueshëm të një përshkallëzimi të gjerë rajonal’.

Ministria e Shëndetësisë në Liban tha se 13 persona u vranë nga sulmet ajrore gjatë natës. Po sipas kësaj ministrie, që prej së hënës janë vrarë më shumë se 550 persona. Nga 8 Tetori ka pasur thuajse çdo ditë shkëmbim zjarri mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, thotë se po vepron në shenjë solidariteti për palestinezët. Ndërsa Izraeli synon që të shuajë kërcënimin e Hezbollahut dhe të rikthejë njerëzit e shpërngulur në veri të vendit./tvklan.al