Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin e ndodhur gjatë protestave të sotme në Tiranë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se

“mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë”.

Ambasada e SHBA i bën thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive.

Edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka bërë thirrje për përmbajtje dhe ka dënuar dhunën në protestë.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane”.

Megjithatë, shton delegacioni i BE, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm”,

 thuhet më tej në reagim.

I njëjtë ka qenë edhe mesazhi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila gjithashtu ka dënuar dhunën. Në deklaratë thuhet se nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme.

“Prezenca e OSBE-së bën thirrje për përmbajtje nga çdo akt dhune i mëtejshëm kundër kryeministrisë dhe çdo lloj prone publike apo private. Përshkallëzimi i dhunës së rrugës sot përbën një shkelje të parimeve të protestës demokratike paqësore. Nxitësit dhe autorët e dhunës mbajnë përgjegjësi për incidentet e sotme. Ne do të vijojmë të mbështetim të gjitha aktet e protestës demokratike dhe paqësore, si pjesë e përkrahjes sonë të pal

ëkundur për demokracinë në Shqipëri”.

/tvklan.al