Blinken e Borrel mbështesin integrimin e Ballkanit



Blinken e Borrel mbështesin integrimin e Ballkanit

14:24 20/10/2021

“Të nisin pa vonesë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe RMV-në”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të forcojnë më tej angazhimin e tyre për Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të përparimit të rajonit drejt integrimit evropian, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Uashingtonit dhe Brukselit, që pason takimin e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken me Përfaqësuesin e Lartë të BE për Politikën e Jashtme Josep Borrell.

Duke nënvizuar se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian, në deklaratën e dy zyrtarëve të lartë bëhet thirrje që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë pa vonesë.

Gjithashtu Blinken dhe Borell theksojnë se anëtarësimi në BE, do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të konsolidojnë institucionet demokratike, të mbrojnë të drejtat themelore dhe të zbatojnë shtetin ligjor.

Një vend të veçantë në deklaratën e përbashkët zënë edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën SHBA dhe BE mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si mekanizmin kryesor për të arritur një zgjidhje për normalizimin e përgjithshëm të situatës mes dy vendeve.

Ndaj Uashingtoni dhe Brukseli u bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës të shmangin tensionet, si ato që u vunë re kohët e fundit në veri të Kosovës dhe që rrezikojnë stabilitetin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehin mbështetje të fortë për integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës, ndërsa i bëjnë thirrje forcave politike në Mal të Zi të bashkëpunojnë për të ruajtur orientimin perëndimor të vendit.

Tv Klan








Të ngjashme