Blinken dhe Borrell, mision diplomatik për shmangur luftën në Liban, Bregun Perëndimor dhe Detin e Kuq

Turneu në Lindjen e Mesme i Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken filloi me takimin me Mbretin e Jordanisë Abdullahun II, një prej aleatëve më të rëndësishëm të Uashingtonit në rajon. Gjithashtu Blinken u takua të dielën dhe me ministrin e Jashtëm, Ayman Safadi në një përpjekje diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin mes Izraelit dhe grupit militant Hamas, në Rripin e Gazës.

Sekretari Blinken po u bën thirrje fqinjëve arabë të Izraelit të luajnë rol në të ardhmen lidhur me qeverisjen e Rripit të Gazës pas luftës. Blinken vizitoi gjithashtu një depo të Programit Botëror të Ushqimit ku ngarkohen kamionë me ndihma për palestinezët në Gazë.

Jordania dhe vendet e tjera arabe kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm që nga shpërthimi i konfliktit në muajin tetor. Takimet e tjera vijuan në Katar, vend jo vetëm aleat i amerikanëve, por edhe i palestinezëve dhe ndërmjetësuar i rëndësishëm për armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve. Sekretari Blinken u takua me emirin e Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani në Pallatin Lusail. Më pas me kryeministrin e Katarit Mohammed Bin Abdulrahmanal-Thani.

Përveç sekretarit Blinken, në rajon ndodhet edhe kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, edhe ai në përpjekje për të shuar përhapjen e luftës në Liban, Bregun e pushtuar Perëndimor dhe rrugët e rëndësishme të transportit detar të Detit të Kuq, ku rebelët Houthi të Jemenit të lidhur me Iranin janë zotuar të vazhdojnë sulmet derisa Izraeli të ndalojë luftën në enklavën palestineze.

Pavarësisht shqetësimit global për vdekjen e mijëra civilëve, shkatërrimin e Gazas dhe presionin ndërkombëtar për një armëpushim, opinioni publik izraelit mbetet i vendosur në mbështetje të operacionit ushtarak që synon zhdukjen e grupit të Hamasit që sundon Gazën, megjithëse ka pasur një rënie të konsiderueshme në mbështetjen për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Klan News