Blinken: Policia e Kosovës ka autoritetin të vendosë ligjin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar edhe një herë sulmin e armatosur ndaj forcave të policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një efektiv dhe u plagosën 3 të tjerë.
Pas ambasadorit në Prishtinë, është Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ai që ka dalë me një reagim ku ka bërë të ditur se autorët e krimit duhet të mbahen përgjegjës, ndërsa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut.
“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për zbatimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Shtetet e Bashkuara e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si reaguese e parë në situata emergjente dhe krize”.
Në një vizitë urgjente në Prishtinë, Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin pasi takoi kryeministrin Albin Kurti, e vlerësoi situatën e krijuar në veri të tmerrshme, ndërsa sulmin e cilësoi si kriminal dhe terrorist.
“Dje pamë një situatë të tmerrshme. E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të hënën herët se sulmi tregon nevojën urgjente për t’iu kthyer dialogut.
“Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano duke iu përgjigjur mediave në Bruksel i konsideroi akte terroriste sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa ftoi gjithashtu palët që t’i rikthehen dialogut.
Lidhur me situatën ë krijuar në veri të Kosovës reagoi edhe Kremlini, i cili nëpërmjet zëdhënësit Dimitri Peskov tha se gjendja është shumë tensionuar dhe e rrezikshme.
Tv Klan