Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania arritën marrëveshje që do të lejojë përfundimin e tubacionit të gazit rus në Evropë, Nord Stream 2, pa sanksione të mëtejshme nga SHBA.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, i tha Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se qeveritë e dy vendeve do të dalin me detajet e paktit.

SHBA-ja e ka kundërshtuar fuqishëm ndërtimin e këtij tubacioni, ashtu si edhe Ukraina dhe Polonia, të cilat druajnë se ai do të dëmtojë sigurinë evropiane të energjisë.

Sipas Uashingtonit, Nord Stream 2 do ta rrisë varësinë e kontinentit evropian nga gazi rus dhe do t’i mundësojë Moskës të rrisë presionin politik mbi Poloninë dhe Ukrainën.

Uashingtoni ka vendosur sanksione vetëm ndaj ndërmarrjes ruse KVT-RUS, e cila ka marrë pjesë në ndërtimin e tubacionit, dhe ka kërcënuar Gjermaninë me sanksione të mundshme.

Pas arritjes se marrëveshjes Nuland tha se SHBA-ja dhe Gjermania janë zotuar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe kompanive gjermane, nëse Moska e përdor tubacionin si armë politike.

Klan News