Dy vendet nënshkruajnë marrëveshjen për uljen e tarifave doganore

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zbutur luftën tregtare mes tyre me nënshkrimin e një marrëveshje paraprake të quajtur faza e parë, e cila redukton disa tarifa amerikane në këmbim të asaj që disa zyrtarë amerikanë e quajtën “një kapërcim të madh të Kinës në blerjet e produkteve amerikane”, veçanërisht ato bujqësore.

Pekini ka rënë dakord që të importojë të paktën 200 miliardë Dollarë mallra dhe shërbime amerikane gjatë dy viteve të ardhshme. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë tarifat për disa mallra kineze dhe do t’i reduktojnë ato për disa të tjera. Marrëveshja do të nënshkruhet nga palët në javën e parë të muajit Janar në Uashington.

Edhe pse nga të dyja palët nuk janë dhënë shumë detaje për cilat mallra konkretisht do të ulen tarifat, Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur një marrëveshje të rëndësishme dhe për të cilën është punuar fort. Në një reagim në Tëitter, ai tha se pakti i ka dhënë dritën jeshile shumë ndryshimeve strukturore dhe blerjeve masive të produkteve bujqësore, energjetike dhe prodhuese.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thekson se negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes do të nisin menjëherë, duke shuar zërat për fillimin e tyre pas zgjedhjeve të 2020. Për Kinën, marrëveshja u arrit mbi bazën e “parimeve të barazisë dhe reciprocitetit”.

Tv Klan