Ushtarakët shqiptarë do të jenë më të përgatitur dhe më të mirëpajisur për të përballuar situatat e emergjencave civile. E gjithë kjo falë bujarisë dhe ndihmës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila iu përgjigj pozitivisht kërkesës për ndihmë të qeverisë shqiptare muajin e kaluar.

Në mjediset e Komandës Mbështetëse ku prej 2 muajsh është ngritur Qendra e Pritjes dhe Administrimit të Ndihmave, ministrja Xhaçka dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu, morën pjesë në dorëzimin e pjesës së parë të ndihmave me një vlerë totale prej rreth 650 mijë dollarë.

Ministrja Xhaçka falenderoi vendet aleate për solidaritetin e treguar pas përmbytjeve të fundit, duke veçuar kontributin e Shteteve të Bashkuara për Forcat e Armatosura shqiptare.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për aleatin dhe mikut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e përhershme, bujare dhe të pakufizuar për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Situata e vështirë që kaluam në muajin dhjetor tregoi mes të tjerash, solidaritetin mes miqsh dhe njëherësh edhe misionin e përbashkët për t’ju gjendur pranë më të pamunduruve, në vështirësitë e shkaktuara nga moti e keq. Ambasador Lu, një shprehje e bukur e jona thotë: Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”,

 u shpreh ministrja Xhaçka.

Ajo i bëri thirrje pushtetit vendor që të marrin përgjegjësitë duke zbatuar ligjin për të siguruar jo vetëm burime finaciare, por edhe njerëzore për emergjencat civile.

“Prej disa javësh siç e dini Emergjencat Civile janë tashmë fushë përgjegjësie e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kjo na e ka shtuar edhe më tepër përgjegjësinë e shërbimit dhe kujdesit, për çdo qytetar të vendit tonë, nga kryeqyteti deri në skajin më të largët. Bashkëpunimi me pushtetin vendor mbetet element i rëndësishëm i parandalimit dhe përballimit të emergjencave në kushtet e përkeqësimit të motit. Ndaj dua t’i bëj thirrje sot të gjitha bashkive, që në buxhetin e tyre, të kenë të parashikuar një fond dhe një strukturë të posaçme për përballimin e emergjencave ashtu sikundër parashikon edhe ligji. Çdo neglizhencë në këtë drejtim do vështirësonte punën e përbashkët e do pengonte ndihmën për të gjithë banorët, të cilët i kanë sytë nga ne, në ditët e tyre më të vështira”.

Nga ana e tij ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura shqiptare në ndihmë të komunitetit, si dhe theksoi gatishmërinë e ushtrisë amerikanë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës për ndihmë nga qeveria shqiptare.

“Ju kemi parë të ndërtoni ura, të shpëtoni fëmije duke punuar me helikopterë dhe të kujdeseni për të sëmurët dhe të plagosurit. Pas përmbytjeve të tmerrshme të vitit të kaluar, ushtria e SHBA-së ju përgjigj kërkesës suaj të NATO-s për pajisje ndihme në raste katastrofash. Sot po i dhurojmë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dërgesën e parë të pajisjeve që përdoren në përgjigje ndaj katastrofave, të cilat kanë një vlerë totale mbi 600 mijë dollarë. Ne besojmë në heroizmin e FA të Shqipërisë dhe jemi krenarë që i mbështesim në misionin e tyre për të shpëtuar jetë brenda dhe jashtë vendit”,

 tha ambasadori Lu.

Pjesa e parë e ndihmës, e akorduar nëpërmjet Zyrës për Bashkëpunim dhe Mbrojtje (ODC) në Ministrinë e Mbrojtjes, përbëhet nga 37 artikuj dhe ka një vlerë prej më shumë se 260 mijë dollarësh. Kjo ndihmë konsiston në pajisje kërkim – shpëtimi ujor, kostume dhe pajisje palombari, pompa uji, si dhe mjaft produkte dhe pajisje humanitare. Pjesa e dytë e paketës së ndihmës që arrin një vlerë totale prej rreth 650 mijë dollarë pritet t’i dorëzohet Forcave të Armatosura muajt e ardhshëm.

/tvklan.al