Stoltenberg paralajmëron Rusinë për armët bërthamore

Ukraina ka qenë në fokus të takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s të mbledhur në Bruksel. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin riafirmoi edhe njëherë vendosmërinë e Uashingtonit për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të aleancës.

“Ne do të qëndrojmë të bashkuar për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa do të duhet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë absolutisht të përkushtuar ndaj angazhimit mbi nenin 5 për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s“.

Në takimin me dyer të mbyllura është folur mbi politikat bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg paralajmëroi Rusinë se përdorimi i këtyre armëve do kishte pasoja të rënda.

“Rrethanat në të cilat NATO-s mund t’i duhet të përdorë armët bërthamore janë jashtëzakonisht të largëta. Retorika bërthamore e Rusisë është e rrezikshme dhe e pamatur dhe ata e dinë se nëse do të përdorin armë bërthamore kundër Ukrainës, pasojat do të jenë të rënda.”

Në samit mori pjesë dhe Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, që vuri theksin tek sulmet kibernetike. Ai tha se po bën përpjekje të vazhdueshme për ngritjen dhe forcimin e masave mbrojtëse ndaj infrastrukturës kritike dhe sigurisë kibernetike.

Tv Klan