Haradinaj: Kurti po i kthen bisedimet nga e para

ShBA-ja synon të rrisë angazhimin në dialogun Kosovë-Serbi. Një ditë pas takimit Kurti-Vuçiç, Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate ka konfirmuar se synon që të rrisë angazhimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE midis Prishtinës e Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve duke mbështetur reformat kryesore për integrimin e BE.

Ndërsa një ditë pas takimit Kurti-Vuçiç ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka publikuar një fotografi në rrjete sociale ku ka treguar se ka vizituar Veriun e Mitrovicës. Ai ka shkruar në Twitter se qytetarët e Kosovës do të arrijnë paqen vetëm duke punuar bashkërisht në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “mashtrues ordiner” kryeministrin Albin Kurti. Haradinaj e ka  e ka akuzuar për qasje të gabuar në procesin e dialogut me Serbinë. Ka thënë se në takimin e së martës në Bruksel, Kurti është dashur ta kërkonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Edhe ish-koordinatori nacional për dialogun, Skënder Hyseni, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për sjellje arrogante e “pa sens diplomatik” në takimin e së martës me Serbinë në Bruksel. Ai ka shkruar në Facebook se Kurti “shkaktoi njërin nga dështimet më të mëdha diplomatike të Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj”.

Të martën, në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës u shpreh se ka bërë katër propozime. Ai ka thënë se ka bërë propozim për marrëveshjen për tregti në Evropën juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve, dhe që nga delegacioni serb të hiqen njerëzit që ishin në funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga ana e Sllobodan Milosheviçit.

Tv Klan