Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u zotua se SHBA do të dalin fitimtare në çdo luftë tregtare me Kinën, një ditë para se tarifat më të fundit të administratës Trump ndaj importeve kineze të hyjnë në fuqi.

Pompeo tha një një intervistë që dha të dielën për rrjetin televiziv “Fox News”: 

“Ne do të arrijmë ta detyrojmë Kinën të sillet në mënyrën e duhur: në se do të bëhesh fuqi globale, nuk duhet të vjedhësh pronën intelektuale”.

Administrata Trump ka argumentuar se tarifat ndaj mallrave kineze do ta detyronin Pekinin të zhvillonte tregti me Shtetet e Bashkuara në terma më të favorshme.

Po ashtu, administrata amerikane ka kërkuar që Kina të mbrojë pronën intelektuale dhe t’i japë fund praktikës së piraterisë kibernetike. Administrata Trump, po ashtu i ka bërë thirrje Kinës që t’i lejojë kompanitë amerikane që të kenë më tepër akses në tregjet kineze dhe ta ulin bilancin pozitiv nga tregtia me Shtetet e Bashkuara./VOA