Shtetet e Bashkuara planifikojnë të ndërtojnë kampe emigrantësh në baza ushtarake. Revista “Time” tregon planet e qeverisë amerikane për ndërtimin e këtyre kampeve në baza ushtarake dhe fusha ajrore të braktisura në Kaliforni, Alabama dhe Arizona. Sipas të dhënave të revistës, në këto kampe do të strehohen rreth 25 mijë emigrantë. Një tjetër kamp afër San Franciskos është duke u projektuar për 47 mijë emigrantë.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se Departamenti për Sigurinë e Vendit nuk i ka kërkuar ushtrisë që të hartojë plane specifike, por vet ushtria është angazhuar nëse do t’i kërkohet ndihmë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm.

Nga ana tjetër, ushtria amerikane pohoi se i është kërkuar nga qeveria që të përgatitej për strehimin e 20 mijë fëmijëve emigrantë. Departamenti i Marinës amerikane ka llogaritur 233 milionë Dollarë shpenzime për të ngritur kampet ku do të qëndrojnë 25 mijë njerëz për gjashtë muaj.

Një vendim i administratës amerikane për të ndjekur penalisht çdo emigrant që kalon ilegalisht kufirin, ka ndarë 2300 fëmijë nga prindërit në muajt Maj dhe Qershor. Kjo gjë ngjalli zemërim në të gjithë botën. Pas këtyre reagimeve, Presidenti Trump u detyrua të nënshkruante një urdhër për të ndalur ndarjet e fëmiljeve. /

tvklan.al